PLATURANA: Në bazë të planit

All Rights Reserved ©

Summary

Në një botë ku paqja është qepur me fije tradhtie, e vërteta është pranga më e rëndë.

Genre
Fantasy
Author
Eneida
Status
Ongoing
Chapters
6
Rating
n/a
Age Rating
18+

PROLOGU


“Tentimet tona për të bërë më të mirën kërkojnë një kusht: Të presësh rezultatin e padëshiruar.”





Rrezet e para të diellit nuk ngrohnin, por thjesht nxirrnin në dritë hirin dhe lagështinë që ishte mbledhur mbi kalldrëmin e Kështjellës Blauv. Ajri mbante erë tym guri dhe urinë kuajsh.

Zonja Mireja, me duart e ashpërsuara nga puna e gjatë, po rregullonte shportat e rënda të lakrave dhe rrepave. Rreth saj, tregu po zgjohej si një kafshë e plogësht; tregtarët hapnin tezgat me zhurmë metali, ndërsa rojet e kështjellës, me sy të kuq nga pagjumësia, patrullonin me dorën tek doreza e shpatës. Mbrojtja e tyre natën ishte e vetmja gjë që i ndante banorët nga errësira e egër përtej mureve.

Mireja u vrenjt kur dëgjoi pëshpëritjet. Prapa shpinës së saj, zonjat Onea dhe Pelush ishin afruar aq shumë sa kapuçonët e tyre të leshtë pothuajse prekeshin. Ato ishin si korbat mbi mure: jetonin me mbeturinat e jetëve të të tjerëve. Për ato gra, një tragjedi mbretërore ishte thjesht argëtim për të thyer monotoninë e një jete që kundërmonte djersë dhe varfëri.

Mireja u mundua t’i injoronte. Nderi dhe morali nuk ushqeheshin me thashetheme, por me heshtje. Megjithatë, fjalët që fluturonin në ajër ishin më të rënda se gurët.

“E dëgjove për princeshën?” pyeti Pelushi, me një zë që dridhej nga një lloj gëzimi i sëmurë.

“Kam dëgjuar thërrime, por asgjë që ngopet veshi,” ia ktheu Onea, duke u përkulur më tej. Një buzëqeshje dinake i hapi rrudhat rreth gojës.

“Të gjithë e dinim që barku i saj ishte fryrë, apo jo? Një trashëgimtar për Todonën, thoshin...” Pelushi bëri një pauzë dramatike, duke parë majtas e djathtas. “Ka lindur.”

“Ua! Lavdi dritës! Jetë të gjatë foshnjës—”

“Mbylle atë gojë!” Pelushi e kapi tjetrën fort për krahu, duke ia ngulur thonjtë në rrobë. “Çfarë jete të gjatë? Ajo nuk solli në jetë një princ. Ajo nxori nga barku një mallkim. Një shtrigë.”

Onea mbeti pa frymë, dora i shkoi instinktivisht tek fyti. “Për hir të Hënës Blu... çfarë po thua?”

“E vërtetë sa ky kalldrëm ku shkelim. Rojet thonë se dhoma e lindjes u mbush me një mjegull të zezë që të merrte frymën. Princesha ka ikur para agimit, duke shtrënguar atë gjë në gji. Kanë shpallur kërkimin në të gjithë mbretërinë.”

“Po si mundet një njeri... një gjak mbretëror... të bëjë një mëkat të tillë kundër Diellit?”

Zonja Mireja ndjeu një të ftohtë që nuk vinte nga mëngjesi. Duart filluan t’i dridheshin ndërsa prekte një rrepë të ftohtë. Ajo nuk u besonte kurrë këtyre grave, njerëzit shpifnin kur barku u rrinte bosh dhe mendja u rrinte kot. Por këtë herë, e dinte që çdo fjalë e tyra, sado e helmuar, ishte e vërtetë.

Ndihej keq për Princin, që tani mbante mbi kokë një kurorë të turpëruar. Ndihej keq për popullin e Todonës, që së shpejti do të pagante haraçin e këtij mëkati me gjak.

Por më së shumti, Mireja ndjente peshën e sekreteve të saj. Ajo e kishte ditur që paqja kishte vdekur që atë natë, kur në errësirën e dhomës mbretërore, kishte qenë pikërisht ajo që i kishte prerë kordonin asaj foshnjeje. Sytë e atij fëmije nuk kishin parë si sytë e njerëzve.

Mireja fshiu duart pas përparëses, sikur donte të hiqte njollat e asaj nate që nuk do të fshiheshin kurrë. Dimri i Todonës sapo kishte filluar, dhe nuk do të kishte diell që ta shkrinte.